“Mos e përsërit më!”-Gjykatësi liron nga burgu hakerin shqiptar që tronditi Rockstar me rrjedhjen e pamjeve të GTA 6

Arion Kurtaj, hakeri shqiptar që u bë i njohur ndërkombëtarisht pas sulmit kibernetik ndaj kompanisë Rockstar Games dhe publikimit të pamjeve të papublikuara të videolojës GTA 6, është liruar nga burgu në Britaninë e Madhe, pasi ka vuajtur një pjesë të konsiderueshme të dënimit të tij prej shtatë vitesh.

21-vjeçari ishte dënuar për një seri sulmesh kibernetike ndaj disa kompanive të njohura ndërkombëtare, mes tyre Rockstar Games, Uber dhe Revolut. Para lirimit, gjykatësi i ka dhënë një paralajmërim të drejtpërdrejtë, duke i kërkuar të mos përfshihet më në veprimtari të tilla të paligjshme.

Rasti që e bëri Kurtajn të famshëm në mbarë botën lidhet me vitin 2022, kur ai arriti të depërtonte në sistemet e brendshme të Rockstar Games, duke vjedhur materiale konfidenciale nga zhvillimi i GTA 6. Bëhet fjalë për rreth 90 video, që përmbanin afërsisht një orë pamje nga loja, e cila në atë kohë mbahej nën masa të rrepta sigurie.

Por sulmi nuk u kufizua vetëm te marrja dhe publikimi i materialeve. Pasi siguroi pamjet, Kurtaj hyri edhe në platformën e komunikimit të brendshëm Slack të kompanisë, ku kërcënoi se do të publikonte kodin burimor të lojës nëse drejtuesit e Rockstar nuk do ta kontaktonin përmes Telegramit brenda 24 orëve.

Një tjetër detaj që e bëri edhe më të bujshëm rastin ishte mënyra se si realizoi sulmin. Edhe pse kompjuteri i tij ishte sekuestruar më parë nga autoritetet, Kurtaj arriti të hynte në sistemet e kompanisë duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick, të lidhur me televizorin në dhomën e hotelit ku po qëndronte, së bashku me një tastierë dhe maus Bluetooth. Kurtaj ishte pjesë e grupit të njohur të hakerëve Lapsus$, i cili kishte ndërmarrë sulme ndaj kompanive të mëdha ndërkombëtare. Përveç Rockstar Games, në shënjestër të grupit kishin qenë edhe Uber, Revolut dhe BT/EE.

Sipas hetimeve, sulmet ndaj kompanive kanë shkaktuar dëme që vlerësohen në rreth 10 milionë paund. Hakerët dyshohet se kanë përdorur edhe të dhënat e vjedhura për të shënjestruar investitorë të kriptomonedhave, ndërsa prokuroria ka pretenduar se grupi ka përfituar të paktën 300 mijë dollarë nga viktima të ndryshme.

Vetë Rockstar Games kishte deklaruar se rikuperimi nga sulmi i kushtoi kompanisë rreth 5 milionë dollarë, përveç mijëra orëve punë të stafit për të përballuar pasojat e ndërhyrjes.

Vendimi për lirimin e Kurtajt është shoqëruar me masa të posaçme kufizuese, të cilat do të jenë në fuqi për pesë vite. Ai do të ketë kufizime në aktivitetin e tij në internet, përfshirë ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord.

BBC shkruan se gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja kishte argumentuar se i riu vuante nga çrregullimi i spektrit të autizmit dhe se bota online përbënte për të një mënyrë më të lehtë për të komunikuar dhe krijuar lidhje shoqërore. Sipas avokatëve, gjatë periudhës së pandemisë ai ishte izoluar dhe përfshirja në grupin Lapsus$ i kishte dhënë një ndjenjë përkatësie dhe vetëvlerësimi. Gjykatësi Turner, gjatë seancës, e cilësoi Kurtajn si një të ri me aftësi të veçanta, por i kërkoi të mos i përdorte më ato për veprimtari kriminale.

“Mos e lejo që kjo të ndodhë përsëri”, ishte paralajmërimi që gjykatësi i dha 21-vjeçarit.

Rasti i Arion Kurtajt konsiderohet një prej incidenteve më të bujshme të sigurisë kibernetike në industrinë e videolojërave, duke ekspozuar dobësitë e sistemeve të kompanive të mëdha dhe duke shkaktuar një nga rrjedhjet më të mëdha të informacionit në historinë e zhvillimit të GTA 6.

gijotina.com/

The post “Mos e përsërit më!”-Gjykatësi liron nga burgu hakerin shqiptar që tronditi Rockstar me rrjedhjen e pamjeve të GTA 6 appeared first on GIJOTINA.