Gjykata e Apelit në Kosovë ka lënë në fuqi dënimet për tre personat e dënuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli dhe Granit Plava do të vuajnë burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla do të qëndrojë në burg për 30 vite.
Vendimi është marrë këtë të hënë, më 23 nëntor, nga Gjykata e Apelit, e cila ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk përmban shkelje thelbësore të procedurës penale.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli thekson se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e paraqitur nga gjykata. Sipas trupit gjykues, faktet dhe rrethanat e vërtetuara në shkallën e parë janë të drejta dhe provojnë përgjegjësinë penale të të dënuarve.
Gjykata ka rrëzuar gjithashtu pretendimet e të dënuarve për shkelje të ligjit penal, duke vlerësuar se dënimet janë caktuar në mënyrë të drejtë, duke marrë parasysh shkallën e lartë të aktit dhe motivin e kryerjes së veprës penale.
Apeli ka refuzuar edhe ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të përfaqësuesit të familjes së viktimës, të cilët kërkonin burgim të përjetshëm edhe për Kushtrim Kokallën.
Gjykata ka arsyetuar se dënimi me 30 vite burg për të është në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.
Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vite burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Për këtë ngjarje, ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla u shpallën fajtorë.
The post Apeli vulos dënimet për vrasjen e Liridona Ademajt, burg përjetë për Murselin dhe Plavën appeared first on GIJOTINA.