Plagosje me thikë në Pogradec, 39-vjeçari përfundon në spital me plagë në qafë dhe dorë

Një 39-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë në qytetin e Pogradecit, pas një konflikti për motive të dobëta me një 55-vjeçar.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4 të qytetit, ku Genci Gegprifti, 55 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës Olger Veshon, 39 vjeç.

Si pasojë e sulmit, 39-vjeçari ka marrë plagë në pjesën e qafës dhe në dorë. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, efektivët e Komisariatit të Policisë Pogradec nisën veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Policia arrestoi 55-vjeçarin Genci Gegprifti, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e konfliktit dhe motivet që çuan në përdorimin e thikës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, e cila po e trajton ngjarjen si veprën penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë.

The post Plagosje me thikë në Pogradec, 39-vjeçari përfundon në spital me plagë në qafë dhe dorë appeared first on GIJOTINA.