Alarm për bombë në avionin Manchester-Rinas/ Zbriten pasagjerët, policia në kërkim të autorit të letrës kërcënuese

Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester-Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.

Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.

Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.

Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.

gijotina.com/

 

The post Alarm për bombë në avionin Manchester-Rinas/ Zbriten pasagjerët, policia në kërkim të autorit të letrës kërcënuese appeared first on GIJOTINA.