Berisha fton forcat politike: Mbani programet tuaja, por të bashkohemi të rrëzojmë armikun madhor të Kombit, Edi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje forcave të tjera politike opozitare të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se bashkëpunimi nuk duhet të kushtëzohet nga programet apo qëndrimet politike të partive, por nga një objektiv i përbashkët që, sipas tij, është largimi i kryeministrit.

Berisha deklaroi se ftesa i drejtohet edhe subjekteve që kanë programe kundër Partisë Demokratike, duke u kërkuar të lënë mënjanë përplasjet dhe të bashkërendojnë veprimet kundër qeverisë.

“Ftoj sot këtu të gjitha forcat politike, edhe ato që në program janë anti-Parti Demokratike. Mbaje programin si të duash, nuk kërkoj ndryshimin, por ama nuk mund të mohosh se rreziku madhor i kombit është Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Sipas kreut të PD-së, partitë mund të ruajnë identitetin dhe alternativat e tyre politike, ndërsa në rastin e një përballjeje elektorale, qytetarët duhet të vendosin lirisht se cilën prej tyre mbështesin. Ai deklaroi se PD do të respektojë rezultatin, nëse një alternativë tjetër arrin të marrë më shumë vota.

Thirrje edhe protestuesve që kanë kundërshtuar të dyja palët

Një pjesë të fjalimit Berisha ia kushtoi edhe grupeve që kanë protestuar me sloganin “Rama ik, Berisha ik”. Ai vlerësoi pjesëmarrjen e tyre në protesta, por u kërkoi të bashkohen me frontin që propozon PD-ja, duke argumentuar se përplasjet mes opozitarëve mund të dobësojnë kundërshtimin ndaj qeverisë.

“Bashkohuni aktivistëve të cilët pesë muaj rresht, si me çelës, duke bërtitur ‘Rama ik, Berisha ik’. Bashkohuni, se përndryshe kontributin tuaj ua merr lumi”, deklaroi ai.

Berisha iu referua gjithashtu protestave të zhvilluara gjatë muajve të fundit, duke përmendur pjesëmarrës nga bindje të ndryshme politike. Sipas tij, në protestat e qershorit kishte edhe mbështetës të Partisë Socialiste, çka e përdori si argument se kundërshtimi ndaj qeverisë mund të kapërcejë ndarjet tradicionale partiake.

Sulme ndaj qeverisë për ekonominë dhe zhvlerësimin e euros

Në fjalën e tij, kreu i opozitës ngriti edhe shqetësime për gjendjen ekonomike, duke pretenduar se zhvlerësimi i euros dhe dollarit ka dëmtuar eksportet dhe prodhimin vendas. Ai tha se mbyllja e ndërmarrjeve dhe largimi i qytetarëve janë pasoja të politikave të qeverisë.

Berisha hodhi poshtë pritshmëritë se largimi i Ramës mund të vijë nga ndërhyrjet ndërkombëtare apo nga veprimet e SPAK-ut, duke deklaruar se përgjegjësia për ndryshimin i takon opozitës dhe qytetarëve.

Në përfundim, ai kërkoi riorganizim të forcave opozitare dhe një valë të re protestash, duke e cilësuar bashkimin si kusht për intensifikimin e aksionit kundër qeverisë.

The post Berisha fton forcat politike: Mbani programet tuaja, por të bashkohemi të rrëzojmë armikun madhor të Kombit, Edi Ramën appeared first on GIJOTINA.