Pas tensioneve dhe marshimit në Tiranë, protesta vijon e qetë para Kryeministrisë

Një ditë proteste e mbushur me tensione ka qenë kjo e sotmja përpara Kryeministrisë.

Qytetarët e nisën protestën krejt paqësisht, por se u larguan  me dhunë nga ana e policisë, në kuadër të aktit normativ, që nuk u lejon të protestojnë as tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Pas tensioneve, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit dhe më pas janë rikthyer sërish në bulevardin përpara godinës së qeverisë.

E pranishme sot është edhe aktivistja ndërkombëtare Greta Thunberg, që ka përgëzuar shqiptarët për rezistencën e jashtëzakonshme.

 

Ajo dënoi dhunën policore ndaj protestuesve, që siç tha, mbrojnë vendin e tyre nga fuqia ekonomike e shteteve të mëdha. Bëri thirrje të fortë dhe që qytetarët të vijojnë protestën kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së natyrës së Shqipërisë.

Një protestuese ka denoncuar dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës në Tiranë, duke theksuar se një grup vajzash u sulmua me gaz lotsjellës dhe spraj, edhe pse nuk po ushtronte asnjë akt dhune.

Ajo tha se policia u kishte zënë pritë dhe kishte përdorur forcën ndaj tyre, duke vijuar sulmin edhe kur vajzat ndodheshin të shtrira në tokë.

“Policia na bëri pritë. Ishim një grup vajzash dhe na sulmuan me spraj lotsjellës. Edhe pse vajzat ishin të shtrira në tokë, ata vazhdonin akoma. Nuk ushtruam asnjë dhunë dhe na dhunuan. Është e drejta jonë të protestojmë. Na hodhën spraj dhe përdorën dhunë brutale”, u shpreh protestuesja.

Ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama se, sipas saj, po përdor policinë për të shtypur protestat qytetare, ndërsa e cilësoi atë si përfaqësues të mafies në vend.

“Rama është krimineli më i madh, që përfaqëson mafien e vendit”, deklaroi ajo.

Protestuesja u shpreh gjithashtu se kryeministri po tregon frikë përballë qëndresës së qytetarëve dhe se nuk ka më legjitimitet për të vijuar qeverisjen.

“Rama po tregon se ka shumë frikë. E kuptoi se gjobat nuk po i merr kush seriozisht. Ai ka frikë, sepse ai ka rënë. Nuk ka legjitimitet të vazhdojë pushtetin e tij, sepse ka rënë”, përfundoi ajo.

gijotina.com/

 

The post Pas tensioneve dhe marshimit në Tiranë, protesta vijon e qetë para Kryeministrisë appeared first on GIJOTINA.