Mbyllet pas 90 minutash takimi historik në Kinë, Trump, Xi dhe Putin dalin me deklaratë të përbashkët

Presidenti i SHBA, Donald Trump, homologu i tij rus Vladimir Putin dhe ai kinez, Xi Jinping kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas samitit historik trepalësh në Kinë, ku kanë shprehur angazhimin për bashkëpunim në disa çështje kyçe të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare.

Tre liderët theksojnë nevojën për reformimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me synimin për ta bërë atë më efektive në përballimin e sfidave globale dhe ruajtjen e paqes e sigurisë ndërkombëtare.

Po ashtu, me deklaratën, tre udhëheqësit thonë se do të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës.

Sa i përket sigurisë, tre liderët kanë riafirmuar se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet, duke u zotuar për dialog mbi uljen e rreziqeve bërthamore.

Përfundimet e përbashkëta të plota:

Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur reformën e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që ajo të mund t’u përgjigjet më efektivisht sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj themelor të ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Të tre vendet planifikojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës në dobi të të gjitha kombeve. Ata riafirmuan rëndësinë e rrjedhave të qëndrueshme të energjisë.

Tre krerët e shteteve pranuan se parimi i pëlqimit kombëtar dhe respekti për imunitetin e zyrtarëve shtetërorë janë me rëndësi të madhe dhe ranë dakord që Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe organe të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.

Tre krerët e shteteve riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet. Të tre vendet do të angazhohen në dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes bërthamore.

 

The post Mbyllet pas 90 minutash takimi historik në Kinë, Trump, Xi dhe Putin dalin me deklaratë të përbashkët appeared first on GIJOTINA.