FIFA ka publikuar renditjen e re të kombëtareve për muajin nëntor, ku Shqipëria ka regjistruar një përmirësim të lehtë, ndërsa Kosova ka pësuar rënie pas rezultateve të fundit në ndeshjet ndërkombëtare.
Kuqezinjtë kanë fituar një pozicion në klasifikimin botëror dhe tashmë renditen në vendin e 65-të, me 1388.42 pikë. Rezultatet pozitive ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë ngjitje të përfaqësueses së drejtuar nga Rolando Maran, e cila vazhdon të përmirësojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.
Në krye të renditjes vazhdon të qëndrojë Spanja, pavarësisht humbjes së pësuar në ndeshjen e fundit të vitit 2026 ndaj Anglisë në stadiumin “Metropolitano”. Ndërkohë, një arritje të veçantë ka regjistruar Maroku, që është ngjitur për herë të parë në pesë vendet e para të klasifikimit, duke fituar dy pozicione dhe duke u renditur i pesti.
Në krahun tjetër, Kosova ka pësuar një rënie prej dy vendesh dhe tashmë pozicionohet e 78-ta në botë, me 1322.10 pikë. Humbja 3-0 ndaj Republikës së Irlandës në Dublin ka ndikuar në bilancin e pikëve të “Dardanëve”.
Takimi u komplikua për Kosovën që në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq për një prekje të topit me dorë në vijën e portës. Troy Parrott shndërroi penalltinë në gol dhe realizoi sërish në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Jack Moylan vulosi fitoren e irlandezëve.
Kjo rënie vjen pas një periudhe pozitive për Kosovën, që në tetor kishte arritur vendin e 76-të, renditjen më të mirë në historinë e saj deri në atë moment.
The post Triumfi në Nations League jep efekte! Shqipëria fiton një pozicion në renditjen e FIFA-s, zbret Kosova appeared first on GIJOTINA.