Një rast me malarie është konfirmuar në Shqipëri. Pacienti është një shtetas i huaj, i cili aktualisht ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e pacientit po ndiqet nga stafi mjekësor. Ndërkohë, autoritetet dyshojnë edhe për një rast të dytë, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për të.
Rasti i regjistruar rikthen vëmendjen te malaria, një sëmundje infektive që prej dekadash nuk transmetohet në mënyrë endemike në Shqipëri. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, rastet e konstatuara ndër vite kanë qenë kryesisht të importuara nga persona që kanë udhëtuar në vende ku sëmundja është e përhapur.
Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe shoqërohet me simptoma si temperaturë e lartë, të dridhura dhe dhimbje koke. Në rastet kur nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, sëmundja mund të shkaktojë komplikacione të rënda shëndetësore.
The post Konfirmohet rasti i parë me malarie në Shqipëri, dyshime për një tjetër të infektuar appeared first on GIJOTINA.