Kërkohej nga Italia, gjykata spanjolle liron shqiptarin e arrestuar për drogë

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për vuajtjen e një dënimi prej shtatë vitesh burg është lënë i lirë përkohësisht nga Gjykata Kombëtare e Spanjës. Vendimi është marrë pas arrestimit të tij në Alicante, ndërsa ndaj tij vijon procedura për ekstradimin e mundshëm drejt Italisë.

Shqiptari u lokalizua dhe u arrestua të enjten e kaluar në zonën e Playa de San Juan, pas një sinjalizimi në Sistemin e Informacionit Shengen.

Kërkimi ndërkombëtar ishte aktivizuar nga autoritetet italiane përmes një urdhër-arresti europian.

Dosja penale i referohet një episodi të regjistruar në Bolonjë më 11 nëntor 2004.

Sipas vendimit të drejtësisë italiane, ai ishte përfshirë në furnizimin e një personi tjetër me rreth 500 gramë heroinë, në bashkëpunim me një individ tjetër, identiteti i të cilit nuk është përcaktuar.

Për këtë ngjarje, shqiptari është dënuar me shtatë vite burg, dënim që nuk e ka shlyer.

Vendimi është konfirmuar në tetor 2023 dhe më pas autoritetet gjyqësore në Bolonjë kanë kërkuar ekzekutimin e tij.

Pas arrestimit, ai është paraqitur përpara gjykatës në Madrid, ku ka kundërshtuar dorëzimin te autoritetet italiane, përmes avokatit të tij Roberto Sánchez Martínez.

Gjykata ka vendosur që ai të qëndrojë i lirë gjatë shqyrtimit të kërkesës për ekstradim, pa paguar garanci financiare. Megjithatë, lirimi është shoqëruar me disa kufizime: shqiptari duhet të paraqitet një herë në javë pranë autoriteteve gjyqësore, nuk lejohet të largohet nga Spanja dhe duhet të dorëzojë pasaportën brenda 72 orëve.

Nëse nuk respekton këto detyrime, ndaj tij mund të vendoset masa e paraburgimit.

Në vendimmarrje është marrë parasysh edhe fakti se shqiptari jeton prej rreth 15 vitesh në Spanjë, ku ka leje qëndrimi dhe është i punësuar.

Ndërkohë, gjykata spanjolle do të vijojë shqyrtimin e çështjes për të vendosur nëse ai do t’u dorëzohet autoriteteve italiane për të vuajtur dënimin e dhënë për trafik droge.

 

The post Kërkohej nga Italia, gjykata spanjolle liron shqiptarin e arrestuar për drogë appeared first on GIJOTINA.