Tabaku: 7 vite pas tërmetit, familjet ende pa banesa. Ku shkuan 1.2 milionë euro për fondet e rindërtimit?

Shtatë vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit vijon të jetë në qendër të debatit politik, ndërsa një pjesë e familjeve të prekura, nga Kombinati deri në zonën e 5 Majit, vijojnë të përballen me mungesën e një banese.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përdorur fondet e rindërtimit, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe abuzime me paratë publike.

Sipas Tabakut, rreth 1.2 milionë euro janë shpenzuar për procesin e rindërtimit, por pavarësisht kësaj, shumë familje nuk kanë arritur ende të përfitojnë banesat e premtuara.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën e lidhjes së kontratave dhe zhvillimin e procedurave të tenderimit, duke pretenduar se janë angazhuar fonde për projekte që nuk janë përfunduar.

Jorida Tabaku: 7 vite pas tërmetit shkatërrues për Shqipërinë akoma flitet për fondet e rindërtimit. Edhe katastrofa përdoret për korrupsion, përdoret për të bërë politikë.

1.2 milionë euro janë shpenzuar nga fondet e rindërtimit ndërsa familjet janë akoma jashtë atje. Janë kontrata të cilat janë firmosur pa i pasur paratë në buxhetin e shtetit, janë bërë vetëm tendera me pallate që nuk ndërtohen. Kështu që këto fonde prej 18 milionë euro që u ricikluan sot e ditët e fundit janë një pikë uji në oqeanin e madh të abuzimeve të rindërtimit.

 

 

The post Tabaku: 7 vite pas tërmetit, familjet ende pa banesa. Ku shkuan 1.2 milionë euro për fondet e rindërtimit? appeared first on GIJOTINA.