Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar një takim në Milano me Maurizio Lupin, kryetar i partisë italiane “Ne të Moderuarit” (Noi Moderati) dhe aleat i kryeministres Giorgia Meloni në koalicionin qeverisës të së djathtës në Itali.
Përmes një postimi, Gjekmarkaj bën të ditur se në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet politike në Shqipëri, protestat kundër korrupsionit dhe skandaleve qeveritare, si dhe përpjekjet e PD-së dhe Sali Berishës për bashkimin e frontit opozitar për zgjedhjet lokale. Gjekmarkaj ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike të qendrës së djathtë në Shqipëri dhe Itali, ndërsa ka ftuar Lupin të vizitojë Shqipërinë, ftesë që ky i fundit e ka pranuar.
Postimi:
Takim me Maurizio Lupin, kryetar i partisë “Ne të Moderuarit” (Noi Moderati), në Milano.
Kënaqësi të takoja Maurizio Lupin, një politikan të njohur të jetës politike italiane, një prej themeluesve të Forza Italia-s së Silvio Berlusconit, deputet prej 25 vitesh, ish-ministër i Transporteve dhe ish-nënkryetar i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian. Lupi është një nga aleatët e Kryeministres Giorgia Meloni në koalicionin qeverisës të qendrës së djathtë në Itali, një mik i çmuar i Shqipërisë dhe veçanërisht i komunitetit shqiptar në Itali.
Në një bisedë të gjatë dhe të përzemërt, i përcolla përshëndetjet e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe Liderit të Opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Italia dhe forcat e saj politike i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por edhe në sfida të tjera me rëndësi për të ardhmen e vendit tonë.
Biseduam gjerësisht mbi zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare në këtë stinë protestash kundër korrupsionit dhe skandaleve qeveritare, përpjekjet e Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës për zgjerimin e opozitës dhe bashkimin e frontit opozitar në zgjedhjet lokale që na presin, si dhe përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Diskutuam gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit mes forcave politike të qendrës së djathtë në të dy vendet, për shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e ndërsjellë në proceset zgjedhore në Shqipëri dhe Itali, në respekt të realiteteve dhe sfidave politike të secilit vend.
E ftova Maurizio Lupin të vizitojë Shqipërinë, një ftesë që ai e pranoi me kënaqësi.
Miqësia shqiptaro-italiane, mbështetja për integrimin europian dhe lidhjet mes forcave politike të qendrës së djathtë mbeten ura të rëndësishme bashkëpunimi mes dy vendeve tona.
The post Gjekmarkaj takon aleatin e Melonit në Milano: Diskutuam për protestat në Shqipëri dhe nevojën për zgjedhje të lira appeared first on GIJOTINA.