Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, kalojnë për gjykim Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij

Gjykata e Tiranës ka vendosur të kalojë për gjykim Elvis Shkambin dhe xhaxhain e tij, Gjergj Shkambin, të akuzuar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Në gjyq është dërguar edhe punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj.

Elvis Shkambi akuzohet për “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërsa Gjergj Shkambi akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj do të përballet me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 6 tetor 2025, pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin gjatë një seance për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Në atë moment, Elvis Shkambi nxori një pistoletë nga brezi dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit.

Më pas, ai drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë që tentuan të largoheshin nga salla, duke plagosur njërin në dorën e djathtë dhe duke dëmtuar tjetrin në trup.

Pas të shtënave, Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u arrestua në flagrancë.

Prokuroria pretendon se Elvis Shkambi e kreu krimin në bashkëpunim me Gjergj Shkambin. Një nga provat e përmendura në dosje është deklarimi i Elvis Shkambit se e kishte mbajtur armën edhe në seanca të tjera gjyqësore dhe se xhaxhai i tij ishte në dijeni.

Sa i përket punonjësit të sigurisë, Prokuroria konstaton se Elvis dhe Gjergj Shkambi kanë hyrë në gjykatë pa iu nënshtruar kontrollit fizik, ndonëse njëri prej tyre mbante armë zjarri.

Si ndodhi vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja?

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 6 tetor 2025, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Gjatë një seance gjyqësore, Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja dhe dy personave të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë në proces. Gjyqtari humbi jetën, ndërsa dy personat e tjerë mbetën të plagosur.

Sipas hetimeve të bëra publike nga Prokuroria, të shtënat ndodhën pasi Kalaja kishte lexuar vendimin për një çështje pronësie mes familjeve Shkambi dhe Kurtaj.

Prokuroria kishte bërë të ditur gjithashtu se po hetonte rolin që mund të kishte pasur Gjergj Shkambi në nxitjen e veprimeve ndaj palës kundërshtare.

The post Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, kalojnë për gjykim Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij appeared first on GIJOTINA.