Garda Civile spanjolle ka goditur një grup kriminal shqiptar, të specializuar në vjedhjen e vilave luksoze në rajonin Castilla y León. Operacioni i koduar “Çorapja” përfundoi me arrestimin e katër personave, të cilët autoritetet spanjolle i lidhin me rreth 20 grabitje në disa provinca të vendit.
Sipas gazetës spanjolle Salamanca Hoy, grupi kishte ardhur nga Shqipëria posaçërisht për të kryer vjedhje në banesa individuale, kryesisht në komplekse rezidenciale ku jetojnë familje me të ardhura të larta.
Hetimet kanë dokumentuar aktivitetin e grupit në Salamanca, Valladolid, Zamora, Burgos dhe Palencia. Autoritetet identifikuan praninë e shqiptarëve që në muajin korrik, ndërsa gjatë nëntorit ata intensifikuan aktivitetin, duke kryer disa grabitje brenda netëve të njëpasnjëshme.
Një nga vjedhjet e fundit ndodhi në Aldeamayor, në provincën e Valladolid-it, vetëm një natë përpara arrestimit të katër të dyshuarve.
Grupi ndiqte një mënyrë të organizuar veprimi. Fillimisht anëtarët vëzhgonin zonat rezidenciale dhe përzgjidhnin vila të izoluara, duke u siguruar që pronarët të mos ndodheshin brenda. Më pas hynin në banesa dhe kontrollonin kryesisht dhomat e gjumit, ku kërkonin bizhuteri dhe para.
Për të shmangur zbulimin, shqiptarët ndryshonin vazhdimisht banesat ku qëndronin dhe lëviznin nga një provincë në tjetrën.
Pse operacioni mori emrin “Çorapja”?
Emërtimi i operacionit lidhet me një praktikë që përdornin anëtarët e grupit. Sipas Gardës Civile, ata i vendosnin bizhuteritë e vjedhura brenda çorapeve, për t’i fshehur dhe transportuar më lehtë.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme bizhuterish, para, pajisje për hapjen e banesave dhe një automjet luksoz. Autoritetet nuk kanë konstatuar armë në përdorim nga grupi.
Një element tjetër i hetimit është automjeti Audi RS3, të cilin shqiptarët e përdornin për të vëzhguar objektivat dhe për t’u larguar me shpejtësi pas grabitjeve.
Makina, me motor 400 kuaj fuqi, u mundësonte të dyshuarve të lëviznin shpejt, ndërsa modeli i saj nuk tërhiqte vëmendje të veçantë në lagjet e pasura ku kryheshin vjedhjet.
Sipas autoriteteve spanjolle, Audi RS3 dhe Volkswagen Golf R32 janë dy modele që përdorin edhe grupe të tjera kriminale. Garda Civile ka konstatuar përdorimin e Audi RS3 edhe në një operacion të mëparshëm kundër një organizate që transportonte sasi të mëdha droge me autokaravanë.
Megjithëse arrestimi i katër shqiptarëve goditi grupin që vepronte në Salamanca dhe provincat përreth, Garda Civile nuk përjashton mundësinë që në këtë zonë të veprojnë edhe celula të tjera me të njëjtën mënyrë organizimi.
Autoritetet spanjolle publikuan rezultatet e operacionit më 16 nëntor, ndërsa hetimet kanë evidentuar një aktivitet kriminal që shtrihej prej disa muajsh në pesë provinca të Castilla y León.
The post Grabitën 20 vila luksoze në Spanjë, operacioni “Çorapja” fundos bandën e shqiptarëve appeared first on GIJOTINA.