“Mali i Zi drejt finishit”/ Integrimi në BE, Kaja Kallas e rendit Shqipërinë me Moldavinë dhe Ukrainën

Kur vjen cështja e integrimit, Shqipëria asociohet nga BE me vende të pasigurta. Disa vjet e rreshtuan me RMV. U shkëputëm nga RMV, papritur doli para Mali i Zi. Tani ka rrezik qe te dale para nesh Serbia dhe Bosnja. Rreshqitja duket e qarte nga gjuha e shefes se diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, qe na ve ne rresht me dy vende pjeserisht te pushtuara nga Rusia, Ukrainen dhe Moldavine.

Ajo ka vlerësuar progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke thënë që shpreson që Mali i Zi të përmbyllë së shpejti negociatat për anëtarësim në BE.

Duke folur në një intervistë për televizionin “France 24”, Kallas theksoi se procesi i zgjerimit po vijon të shënojë përparim, ndërsa Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina janë ndër vendet që po ecin përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfitimeve që sjell afrimi me BE-në, veçanërisht përmes aksesit në tregun e përbashkët dhe mundësive për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kallas u ndal edhe te kriteret që duhet të përmbushin vendet kandidate, duke theksuar se zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në merita individuale dhe në respektimin e standardeve evropiane.

Sipas saj, sundimi i ligjit dhe respektimi i parimeve themelore të Bashkimit Evropian janë kushte thelbësore për anëtarësimin, pasi zbatimi i reformave bëhet shumë më i vështirë pasi një vend të jetë bërë pjesë e unionit. Megjithatë, shefja e diplomacisë evropiane e cilësoi zgjerimin edhe si një vendim me rëndësi të veçantë gjeopolitike, sidomos në kushtet aktuale të sigurisë.

“Ne po vijojmë që të bëjmë hapa para me procesin e zgjerimit. Shpresojmë që Mali i Zi ta kalojë vijën e finishit së shpejti. Kemi edhe shtete të tjera të rëndësishme që janë vërtet shumë pranë tij në këtë proces. Kemi Shqipërinë, Moldavinë, Ukrainën, si dhe shtete të tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Procesi i zgjerimit nga njëra anë është i vështirë, por është gjithashtu e rëndësishme që këto shtete të fitojnë qasje në tregun e përbashkët, si dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve. Ky proces duhet të vijoje që të jetë i bazuar në merita individuale. Zgjerimi duhet që të jetë gjithashtu një proces ku ne verifikojmë nëse një shtet kandidat respekton vërtet sundimin e ligjit dhe të gjitha parimet thelbësore që janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Përndryshe, pasi këto shtete të jenë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, zbatimi i reformave bëhet shumë më i vështirë sesa më parë. Mendoj se është e rëndësishme që të zgjerohemi sepse është një vendim gjeopolitik. Ajo që mendoj unë është se, në situatën aktuale të sigurisë, duhet të flasim edhe me qytetarët tanë për vlerat që këto shtete do të na sjellin në familjen evropiane”, tha Kallas.

gijotina.com/

The post “Mali i Zi drejt finishit”/ Integrimi në BE, Kaja Kallas e rendit Shqipërinë me Moldavinë dhe Ukrainën appeared first on GIJOTINA.