Qëlloi me armë dy persona në Londër, 15 vite burg për shqiptarin /EMRI

Shqiptari Mateos Jubani është dënuar me 15 vite burg në Britani, pasi u shpall fajtor për përfshirjen në dy sulme me armë zjarri në zonën e Enfield, në veri të Londrës.

Ngjarjet ndodhën në qershor të vitit 2025, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga policia, dokumentojnë momentet e sulmeve.

Incidenti i parë ndodhi më 12 qershor 2025, kur Jubani ndoqi një 18-vjeçar në rrugë dhe qëlloi me armë drejt tij, por plumbi nuk e kapi.

Rreth 30 minuta më vonë, një tjetër sulm ndodhi në Park Avenue, pranë kryqëzimit me Green Lanes. Një 32-vjeçar ndodhej në makinën e tij kur u qëllua me armë zjarri. Edhe në këtë rast, plumbi nuk e goditi.

Vetëm pak sekonda më pas, një person tjetër iu afrua automjetit dhe e goditi drejtuesin me thikë përmes derës së makinës. 32-vjeçari pësoi plagë të rënda në shpinë dhe u dërgua në spital në gjendje të rrezikshme për jetën, por më vonë arriti të shërohej plotësisht.

Mateos Jubani, atëherë 30 vjeç, u arrestua më 9 korrik 2025 dhe u akuzua për dy tentativa vrasjeje, mbajtje të armës dhe municionit me qëllim rrezikimin e jetës, si dhe dy akuza për posedim të pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale.

Dënimi me 15 vite burg u dha në Gjykatën Crown të Wood Green, më 10 nëntor 2026, nga gjyqtari John Dodd.

Policia Metropolitane e Londrës ka publikuar edhe pamjet filmike të dy sulmeve, ku shfaqen momentet e të shtënave dhe fotografia e shqiptarit të dënuar

The post Qëlloi me armë dy persona në Londër, 15 vite burg për shqiptarin /EMRI appeared first on GIJOTINA.