Vrasje për larje hesapesh? Kush e ekzekutoi me 8 plumba shqiptarin në Bruksel, dyshimet

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e shqiptarit Redjan Z. në Bruksel, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 12 tetor, vetëm pak orë përpara se të vritej edhe një efektiv policie në kryeqytetin belg.

Sipas mediave belge, Redjan Z. u qëllua me shtatë deri në tetë plumba në orët e vona të pasdites, në rrugën Wiertz. Autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja, ndërsa rrethanat e krimit vijojnë të jenë objekt hetimi.

Disa orë më vonë, po atë mbrëmje, polici 41-vjeçar Nordine El Talbi u qëllua për vdekje në krye të detyrës, teksa po mbikëqyrte një automjet të parkuar në bulevardin Carton de Wiart. Makina rezultonte e vjedhur më herët gjatë mbrëmjes, nëpërmjet një grabitjeje me dhunë në Tubize.

Përmes analizimit të kamerave të sigurisë, hetuesit dyshohet se kanë arritur të identifikojnë personat e përfshirë në ngjarje. Disa prej tyre janë arrestuar në Spanjë dhe Francë. Dyshimet janë se të njëjtët persona mund të kenë marrë pjesë edhe në vrasjen e Redjan Z.

Megjithatë, Prokuroria e Brukselit nuk ka konfirmuar dhe as mohuar zyrtarisht lidhjen mes dy ngjarjeve, duke argumentuar se një veprim i tillë mund të dëmtojë hetimet që po zhvillohen për secilin rast.

Dyshimet për larje hesapesh në trafikun e drogës

Një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit është ajo e një vrasjeje për larje hesapesh në botën e trafikut të narkotikëve. Sipas raportimit, Redjan Z. nuk rezultonte person i njohur për policinë dhe kishte dëshmi penaliteti të pastër.

Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë edhe lëvizjet e tij para ekzekutimit. Mësohet se shqiptari kryente udhëtime të shpeshta mes Belgjikës dhe Shqipërisë, çka është një prej elementeve që po verifikohen në kuadër të hetimit.

Ndërkohë, familja e viktimës ka shprehur shqetësim për mungesën e informacionit zyrtar. Avokatja e saj, Ofelia Avagian, deklaroi se familjarët po mësojnë për zhvillimet nga mediat dhe jo nga autoritetet.

Ajo theksoi se familja është e kënaqur që hetimet po përparojnë dhe se janë arrestuar disa të dyshuar, por kërkon më shumë qartësi për rrethanat e vrasjes.

Për momentin, mbetet e paqartë se kush ishte objektivi i vërtetë i atentatit ndaj Redjan Z. dhe nëse ekzekutimi i tij kishte lidhje me vrasjen e policit belg. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi motivet dhe personat që qëndrojnë pas krimit.

 

The post Vrasje për larje hesapesh? Kush e ekzekutoi me 8 plumba shqiptarin në Bruksel, dyshimet appeared first on GIJOTINA.