Transferimi nga paraburgimi i Durrësit në Fier, Erion Veliaj kallëzon Drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo.

Sipas Veliajt ajo ka shpërdoruar detyrën duke e transferuar në mënyrë të paligjshme nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

Veliaj pretendon se transferimi i tij është kryer në shkelje të ligjit, duke kërkuar hetimin e përgjegjësisë së drejtueses së sistemit penitenciar për këtë vendim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u transferua nga Durrësi në Fier më 28 tetor.

Avokati i tij, Plarent Ndreca, kishte deklaruar se ishte vënë në dijeni për transferimin, por se nuk i ishin komunikuar arsyet e këtij vendimi, pavarësisht kërkesës zyrtare për sqarime.

Pas transferimit, Veliaj reagoi edhe në rrjetet sociale, duke e cilësuar lëvizjen si një akt pa transparencë dhe si “rrëmbim policor”. Ai kërkoi ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për të verifikuar shkaqet e transferimit, të cilin e konsideroi politik.

Veliaj qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

The post Transferimi nga paraburgimi i Durrësit në Fier, Erion Veliaj kallëzon Drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve appeared first on GIJOTINA.