Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka kundërshtuar pjesëmarrjen e opozitës në tryezën me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore, duke deklaruar se nuk mund të ketë negociata me mazhorancën për sa kohë Edi Rama vijon të jetë kryeministër.
Sipas Hoxhës, Shqipëria duhet të përmbyllë tranzicionin politik, ndërsa kjo, sipas tij, kërkon largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike kombëtare, e cila do të hetonte pasuritë e politikanëve. Ai tha se kërkesat e qytetarëve nuk lidhen me përmbysjen e partive, por me ndryshimin e modelit politik dhe hetimin e pasurisë së zyrtarëve, nga i pari te i fundit.
Duke komentuar reformën zgjedhore, Hoxha argumentoi se ndryshimi i Kodit Zgjedhor nuk do të sjellë rezultat nëse nuk shoqërohet me masa për bllokimin e aseteve financiare që, sipas tij, deformojnë procesin zgjedhor. Ai paralajmëroi se një marrëveshje mes dy partive kryesore, pa trajtuar ndikimin e parave dhe grupeve kriminale në zgjedhje, nuk do të prodhonte ndryshimin e kërkuar.
Ne kemi thënë se ky vjedh zgjedhjet, e kemi certifikuar si hajdut zgjedhjesh. Tani do të themi që problemi është Kodi dhe kjo është punë koalicioni? Nëse ke nisur një aksion, do ta çosh deri në fund”, u shpreh Hoxha.
Ai kundërshtoi në mënyrë të drejtpërdrejtë uljen në tryezë me përfaqësues të mazhorancës, duke përmendur Damian Gjiknurin. Sipas tij, opozita duhet të zhvillojë bisedime vetëm me deputetë socialistë që kundërshtojnë Edi Ramën. Hoxha përmendi Marjana Koçekun, e cila ka dalë si deputete e pavarur, ndërsa shprehu shpresën që edhe deputetë të tjerë të PS-së të distancohen nga kryeministri.
“Sheshi ka disa kërkesa. E ka mandatuar mazhorancën apo opozitën për këtë punë? E ka mandatuar parlamentin për këto ndryshime? Unë them se jo. Në mënyrë kategorike, asnjë takim me mazhorancën deri sa të dorëhiqet Edi Rama”, deklaroi ai.
Në përfundim, Hoxha tha se nuk pret që Rama të qëndrojë në detyrë deri në muajin maj dhe e cilësoi tryezën për reformën zgjedhore si një mesazh të gabuar në kushtet e protestave. Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë beteja politike për largimin e kryeministrit dhe më pas partitë mund të diskutojnë për një paketë ndryshimesh ligjore, përfshirë Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën.
“Në këtë fazë, kur po rrëzohet, nuk kemi pse të shpikim tryeza. Pasi të rrëzohet Rama, grupet e PD-së dhe të PS-së le të votojnë një paketë ligjore, me ndryshime në Kodin Zgjedhor, ndryshime kushtetuese etj. Por tani jemi në kulmin e betejës. Nuk pres që Rama të shkojë deri në muajin maj. Çështja e tij është e mbyllur. Ai është shpallur ‘non grata’ nga kancelaritë botërore, sepse është kapur duke vjedhur dhe ka rrezikuar sigurinë e Shqipërisë dhe të NATO-s. Rama nuk mund të jetë kryeministër dhe, me tryeza të tilla, krijojmë një përshtypje të gabuar”, tha ai.
gijotina.com/
The post Lisander Hoxha kundër tryezës me PS-në për Kodin Zgjedhor: Rama është i certifikuar si hajdut zgjedhjesh appeared first on GIJOTINA.