Shqipëria me ndryshime ndaj Finlandës, Maran përgatit surprizën në formacionin titullar

Shqipëria luan sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.

Kuqezinjtë presin Finlandën në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45, me synimin e vetëm fitoren për të konsoliduar vendin e parë në Grupin C1.

Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran kryeson grupin me 9 pikë, ndërsa Bjellorusia dhe Finlanda kanë nga 7 pikë.

Një triumf sonte do t’i jepte Kombëtares një avantazh të rëndësishëm përpara sfidës së fundit ndaj Bjellorusisë.

Trajneri italian i ka në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar dhe nuk raportohet për probleme fizike në skuadër. Megjithatë, Maran pritet të bëjë disa ndryshime, duke ruajtur skemën e preferuar 3-4-2-1.

Në portë pritet të rikthehet Etrit Berisha, ndërsa në mbrojtje treshja do të përbëhet nga Gjimshiti, Ismajli dhe Mitaj, i cili duket se ka fituar balotazhin me Ajetin.

Në mesfushë, Hysaj pritet të aktivizohet në të djathtë dhe Pilo në të majtë, me Asllanin dhe Ramadanin në qendër.

Ndryshimi më i mundshëm në repartin ofensiv lidhet me Qazim Laçin, i cili pritet të marrë vendin e Arbër Hoxhës.

Laçi do të luajë pas sulmuesit Rei Manaj, së bashku me Ernest Muçin, në përpjekje për të krijuar më shumë rrezik përpara portës kundërshtare.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: Berisha; Gjimshiti, Ismajli, Mitaj; Hysaj, Asllani, Ramadani, Pilo; Laçi, Muçi; Manaj.

Përballja me Finlandën nis në orën 20:45 në “Air Albania”, ndërsa tri ditë më vonë kuqezinjtë do të luajnë ndaj Bjellorusisë në Budapest.

 

The post Shqipëria me ndryshime ndaj Finlandës, Maran përgatit surprizën në formacionin titullar appeared first on GIJOTINA.