Qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një mendim urgjent në lidhje me modelin e ri të provimit të jurisprudencës, i cili parashikon që pjesa teorike të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari bëri me dije se në kuadër të këtij procesi, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet shtetërore, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike, si dhe përfaqësuesit e organizatave studentore.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem që garanton mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, duke ruajtur të njëjtat kritere profesionale dhe standarde të provimit. Vazhdojmë me përgjegjësi dhe përkushtim për një zgjidhje të drejtë, profesionale dhe të qëndrueshme, në interes të të gjithë kandidatëve”, tha ndër të tjera Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivar.
Synimi është që kjo çështje të shqyrtohet në sesionin e fundit të Komisionit të Venecias për këtë vit, i cili parashikohet të mbahet më 11 dhe 12 dhjetor. Modeli i ri i provimit të jurisprudencës ka nxitur reagime të shumta dhe kundërshtime nga studentët shqiptarë, të cilët u ngritën në protesta duke kërkuar që provimi të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe. Kundër kësaj zgjidhjeje ligjore është deklaruar edhe opozita shqiptare në RMV, e cila ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë në Kuvend.
gijotina.com/
The post Shqiptarët kërkojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, qeveria e RMV kërkon opinion nga Komisioni i Venecias appeared first on GIJOTINA.