Tabaku denoncon në EPP: Edhe Europa e do Shqipërinë pjesë të saj, por Edi Rama do vetëm pushtetin e tij

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka paraqitur situatën politike në Shqipëri në mbledhjen e grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP), duke ngritur shqetësime për dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe për presionin e qeverisë ndaj mediave.

Prezantimi u bë një ditë përpara mbledhjes së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET), ku pritet të diskutohet për Shqipërinë. Tabaku e lidhi situatën në vend me pasojat për ekonominë, shtetin ligjor dhe procesin e integrimit europian.

“Një sistem që godet ekonominë dhe shtetin ligjor, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë integrimin europian dhe rrezikojnë të ardhmen e vendit”, u shpreh ajo.

Lidhur me protestat, Tabaku ngriti shqetësimin për përdorimin e dhunës nga policia ndaj qytetarëve. Ajo kritikoi gjithashtu ligjin kundër tubimeve, të cilin e cilësoi antikushtetues, duke bërë të ditur se PD-ja, shoqëria civile dhe studentët e kanë çuar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Liria e medias ishte një tjetër çështje e paraqitur në mbledhje. Tabaku i përfshiu sulmet ndaj News24, Syri TV dhe mediave të tjera në atë që e cilësoi si presion autoritar të qeverisë ndaj medias dhe gazetarëve.

“Shqiptarët e duan vendin e tyre në BE. Edhe Europa e do Shqipërinë pjesë të saj. Edi Rama do vetëm pushtetin e tij”, deklaroi ajo.

Tabaku e mbylli fjalën me thirrjen: “Është koha për ndryshim!”

The post Tabaku denoncon në EPP: Edhe Europa e do Shqipërinë pjesë të saj, por Edi Rama do vetëm pushtetin e tij appeared first on GIJOTINA.