Julian Shehu dhe Etrit Berisha kanë dalë në konferencë për shtyp në prag të dy sfidave të fundit të Shqipërisë në Nations League, ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Mesfushori kuqezi u shfaq optimist për ecurinë e Kombëtares, duke theksuar se objektivi është të merret maksimumi i pikëve për të ruajtur kreun e grupit.
Shehu vlerësoi ndryshimet në lojën e skuadrës nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran, duke veçuar qasjen më ofensive dhe agresive që, sipas tij, po jep rezultatet e dëshiruara.
“Mënyra se si po luan ekipi tani, me një lojë pak më ofensive dhe më agresive përpara, ka dhënë frytet e veta. Është e rëndësishme të ndihemi mirë në fushë dhe të zbatojmë detyrat që kërkon trajneri”, u shpreh mesfushori.
Duke folur për përballjen me Finlandën, Shehu pranoi se nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por siguroi se kuqezinjtë janë të përgatitur për të përballuar presionin.
“Presioni është pjesë e lojës. Ne jemi profesionistë dhe duhet të dimë si ta përballojmë. Objektivi ynë është të qëndrojmë në vendin e parë në grup, të ruajmë kryesimin dhe besoj se deri në fund do t’ia dalim”, deklaroi ai.
Një shtysë të rëndësishme për Shqipërinë do të jetë edhe mbështetja e tifozëve në stadiumin “Air Albania”, pasi këtë herë sfida me Finlandën do të luhet në shtëpi.
Shehu foli edhe për detyrat e tij në mesfushë, duke theksuar se Maran kërkon presion të lartë dhe një skuadër më agresive në të gjitha repartet.
Në fund, ai komentoi edhe minutazhin e marrë me trajnerin e ri, duke treguar se vendimet e teknikut duhen respektuar.
“Ne nuk jemi këtu për objektivat tona personale apo për të luajtur sa më shumë minuta. Sa herë që të jemi në fushë, duhet të japim maksimumin për ekipin kombëtar”, përfundoi Shehu.
The post Julian Shehu optimist para Finlandës: Objektivi është i qartë, Shqipëria do të ruajë vendin e parë! appeared first on GIJOTINA.