Hetimi i SPAK ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, është zgjeruar me dy akuza të reja: korrupsion dhe pastrim parash. Çështja lidhet me dosjen e AKSHI-t, ku në qendër të hetimeve është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
Deri më tani, Hyseni hetohej për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve apo të dhënave sekrete. Prokuroria dyshon se ajo mund të ketë ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai ndodhej në arrati, duke i siguruar informacione konfidenciale shtetërore.
Pjesë e hetimit janë edhe disa transaksione financiare që, sipas SPAK, mund të kenë shërbyer për të kanalizuar përfitime të paligjshme drejt personave të lidhur me ish-drejtuesen e SHISH.
Gjurmët e parave çojnë drejt familjarëve të Hysenit
Në dokumentacionin e sekuestruar në ambientet e kompanisë EA Tobacco, në pronësi të Ergys Agasit, është gjetur një shënim për një shumë prej rreth 119 milionë lekësh. E njëjta vlerë figuron në një faturë të lëshuar nga kompania Enklo Construction për Sinteza Co, me përshkrimin “Instalim/Konfigurim”.
Sipas hetimeve, kompania që lëshoi faturën nuk kishte aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit dhe dyshohet se shërbimet e deklaruara nuk ishin kryer. Paratë u transferuan më pas në disa kompani të tjera, mes tyre Fortis Beton, nga llogaritë e së cilës u kryen edhe pagesa të konsiderueshme drejt Gjermanisë.
Në mars 2024, Fortis Beton transferoi dy shuma prej 250 mijë eurosh drejt kompanisë gjermane Wilhelm & Co Planungsgesellschaft. Pagesat u justifikuan si shpenzime për projektimin e një kompleksi banimi dhe tregtar në Tiranë, i cili nuk u ndërtua.
Dyshimet e SPAK lidhen me faktin se në këtë kompani punonte njëri prej vëllezërve të Vlora Hysenit. Prokuroria po verifikon nëse këto pagesa mund të kenë shërbyer si përfitim i parregullt për ish-drejtuesen e SHISH.
Një tjetër transaksion në vlerën 450 mijë euro drejt kompanisë gjermane Erd & Tiefbau Dingler GmbH u anulua më 27 shkurt 2024. Përfaqësues i kësaj kompanie rezulton Izet Dingler, vëllai i Hysenit, i cili më parë mbante mbiemrin Hyseni.
Sipas dokumenteve të administruara në dosje, transferta lidhej me një marrëveshje për blerjen e aksioneve në një kompani në Mynih dhe dhënien e një huaje për një shoqëri tjetër. SPAK po heton nëse këto veprime financiare kanë pasur një qëllim të ndryshëm nga ai i deklaruar.
Prokuroria dyshon se përmes një skeme faturash dhe transfertash është tentuar të fshihet origjina e parave të përfituara nga tenderët e AKSHI-t dhe të krijohen përfitime të parregullta në këmbim të informacioneve sekrete.
Për të dokumentuar plotësisht lëvizjet financiare dhe lidhjet mes personave të përfshirë, SPAK ka kërkuar informacione shtesë përmes letërporosive drejtuar autoriteteve në Gjermani dhe Kosovë.
Hyseni mbetet në arrest shtëpie
Ndërkohë, masa e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH vijon të jetë në fuqi. Më 4 nëntor, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e saj për zbutjen e masës, duke lënë në fuqi arrestin në shtëpi dhe pezullimin nga funksionet publike.
Vlora Hyseni i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ka vepruar në përmbushje të detyrës dhe se nuk e ka vënë Shërbimin Informativ në dispozicion të asnjë individi apo nisme që cenon interesat e Shqipërisë.
Hyseni drejtoi SHISH-in nga prilli 2023 deri në pezullimin e saj në shtator 2026. Hetimi ndaj saj është pjesë e një dosjeje më të gjerë për dyshimet mbi manipulimin e tenderëve të AKSHI-t, me një vlerë të konsiderueshme fondesh publike.
The post Korrupsion e pastrim parash/ SPAK regjistron akuza të reja për ish-shefen e SHISH, Vlora Hyseni appeared first on GIJOTINA.