“Të mos besojnë skenarin serb”/ Berisha-studentëve: Në Serbi nuk kishte një parti opozitare si PD

Pyetje: Flitet se studentët janë drejt krijimit të një fronti apo partie, ku pjesë e saj nuk do të jenë as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike. A mendoni se po shkohet drejt një skenari serb dhe cilat do të jenë veprimet tuaja?*

*Sali Berisha: Meri, faleminderit për pyetjen. Së pari, duke lënë modestinë mënjanë, Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij, duke themeluar Partinë Demokratike në vitin ’90, themeloi pluralizmin politik. Dhe unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik.  Pra, për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij.

A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht!
Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri. Skenari serb, siç e dini zonjë, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë. Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve.

Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë.  Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike.  Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale.

Pyetje: A mendoni se mund të arrini të bashkoheni me partitë e tjera si Bashkë, Mundësia, Shqipëria Bëhet, për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale?*

Sali Berisha: Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin dhe për një betejë të përbashkët në rrëzimin e Edi Ramës në Tiranë dhe kudo në Shqipëri. Dhe unë prapë shfrytëzoj këtë moment, t’u bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë me një anë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë.  Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës.

Unë nuk u them atyre në qoftë se ata s’duan, hajde të qeverisim bashkë.  Unë nuk u them atyre që në qoftë se ata nuk duan, urdhëro të dalim dhe në zgjedhjet e përgjithshme bashkë. Por hajde të rrëzojmë Edi Ramën, të shkojmë drejt krijimit të një qeverie kujdestare për të bërë reformën zgjedhore dhe ju siguroj se ajo reformë do të pasqyrojë plotësisht propozimet dhe sugjerimet e tyre. Plotësisht, unë i kam lexuar ato, kemi pasur dhe një dialog në këtë drejtim, pa asnjë hezitim. Dhe t’i japim atij edhe në zgjedhjet lokale mësimin që meriton, të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe, e ju them prapë, mos hezitoni se kush përfiton. Çdo shqiptar e din që përfiton Rama dhe ju nuk duhet të jeni kurrë që të përfitojë kjo e keqe.

Pyetje: Doktor, në protestën e djeshme përsëri pati incidente mes protestuesve. Mendoni se ndoshta Partia Demokratike duhet të ketë protestën e vet dhe mos të shkojë në ditën që e shpallin studentët?*

Sali Berisha: Siç e patë ju i dashur Kristi, asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente.
Unë mund të them ty, i kam dhe emrat e tyre. Dhe mund t’ua them, por vetëm për hir të asaj që s’po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente.  Në qoftë se e vutë re ju Kristi, pikërisht aty ku u krijuan ato dy-tre, ndodheshin si për çudi mediat e qeverisë që t’i filmonin.

Por ata edhe njëherë, nuk janë studentë. Ju i rishihni edhe njëherë videot. Janë persona që ka prej tyre dhe 40-50 vjeç, ka të tjerë 30 vjeçarë me radhë, kështu që s’kanë asgjë të përbashkët me studentët.  Por një gjë, në qoftë se ju quani studentë disa eksponentë që i morën shpirtin Flamingove, gaboni. Ata janë rrezik për çdo lëvizje. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë. Kështu që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën.  Kurse, ata që thonë se kjo protestë ishte e popullit, dje populli siç e patë ishte populli demokrat.

Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre.  Kristi, që kur ka filluar revolta studentore, e cila është thirrur dhe njëherë nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, thirrje të cilës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete, në shkolla të mesme dhe jashtë universiteteve u janë përgjigjur ndër të parët.  Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve nga policia, narkopolicia, nga proceset gjyqësore dhe të tjera.  Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore.
Ndaj dhe ne jemi parti proteste.

Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë.  Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t’i mbështesim studentët.  Regjimi kreu barbarinë ndaj tyre. Si mundet ne të pranojmë të tërhiqemi para akteve barbare, para plumbave që u vërshuan mbi të rinjtë, para gjymtyrëve të thyera, kafkave të çara. Nuk mundet të ndodhë kjo kurrë.
Ne jemi forcë politike. Ne përdorim ato instrumente që kemi. Dhe kur ne bëjmë thirrje, nuk shkojmë kurrë për të postuar, jo, ne shkojmë për të mbështetur dhe për të mbrojtur, po.

Dhe unë them se këtë detyrë e kemi bërë më shumë se asnjë forcë tjetër politike. Ndaj dhe edhe njëherë shfrytëzoj rastin të bëj thirrje për bashkim, të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore. Ata që mendojnë se protesta është e tyre, ata përsërisin në mënyrë të pavetëdijshme, në një formë apo një tjetër, kufizimin e të drejtës për protestë. Askush s’mund t’i kufizojë tjetrit të drejtën e protestës. Kjo është e paimagjinueshme.

gijotina.com/

The post “Të mos besojnë skenarin serb”/ Berisha-studentëve: Në Serbi nuk kishte një parti opozitare si PD appeared first on GIJOTINA.