“Kush mund ta shkëpusë Kosovën nga shpirti im?” Pas humbjes, Vuçiç këndon në karaoke me retorikë nacionaliste

Ish-presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbledhur mbështetësit mbrëmjen e djeshme në Sremska Mitrovicë, ku deklaroi kalimin e partisë në një “opozitë shtetformuese”, pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Gjatë mbrëmjes, ai këndoi këngën nacionaliste “Vidovdan” një instrument i fuqishëm i folklorit dhe propagandës nacionaliste serbe, e krijuar në vitin 1989 për të mbajtur gjallë të ashtuquajturin “Mit të Kosovës”.

Të pranishëm kanë qenë familjarë të tij, ish-kryeministrja Ana Bërnabiç dhe deputetët të partisë së tij, tashmë jashtë pushtetit.

“Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish; kush mund ta shkëpusë vallë Kosovën nga shpirti im?”, dëgjohet të këndojë Vuçiç, i cili e ka përdorur edhe më parë këtë këngë si një strategji populliste për të sulmuar opozitën e brendshme dhe për t’u shfaqur para elektoratit radikal si mbrojtës i shenjtërisë territoriale.

Kënga nacionaliste “Vidovdan” ushqen narrativën se Kosova është pronë e përjetshme shpirtërore e Serbisë.

Vetë Vuçiç dhe mediat pro tij në Beograd e portretizojnë çdo dialog apo përballje diplomatike për Kosovën si një “betejë të re heroike”, ku ai gjoja mbron interesat serbe. Këndimi i kësaj kënge në publik është një mjet i pastër popullist për të rritur popullaritetin e tij brenda Serbisë.

 

The post “Kush mund ta shkëpusë Kosovën nga shpirti im?” Pas humbjes, Vuçiç këndon në karaoke me retorikë nacionaliste appeared first on GIJOTINA.