Shkodër/ Sekuestrohen 77 kg kanabis e armë zjarri, arrestohen dy vëllezër dhe në kërkim një 24-vjeçar (Emrat)

Pas katër muajsh hetime, Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Polinomi 2”, në kuadër të goditjes së një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 77 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një armë zjarri pistoletë, një pushkë pneumatike, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në pranga kanë rënë dy vëllezërit, Gjovalin Sheja, 49 vjeç, banues në fshatin Abat, dhe Kujtim Sheja, 57 vjeç, banues në Grudë të Re. Ndërkohë, është shpallur në kërkim djali 24-vjeçar i këtij të fundit, Kristjan Sheja.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit, shërbimet e Policisë zbuluan dhe sekuestruan rreth 66.8 kilogramë kanabis, të ndarë në thasë, si dhe një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh dhe një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike, tri pajisje optike, konkretisht dy kamera dhe një monokular.

The post Shkodër/ Sekuestrohen 77 kg kanabis e armë zjarri, arrestohen dy vëllezër dhe në kërkim një 24-vjeçar (Emrat) appeared first on GIJOTINA.