Atentat ndaj një shqiptari në Greqi/ 36-vjeçari plagoset me armë brenda mjetit të tij, shoqërohen dy persona

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes, 6 nëntor, në zonën e Kolonos në Athinë, ku një 36-vjeçar shqiptar është plagosur me armë zjarri brenda automjetit të tij.

Sipas informacioneve paraprake, i riu ka marrë një plumb në pjesën e barkut, por fatmirësisht është në jetë.

Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

Ngjarja është raportuar rreth orës 20:35, në rrugën “Lenorman”, në numrin 197, në zonën e Kolonos.

Ka qenë një banor i zonës ai që ka telefonuar shërbimet e emergjencës, duke njoftuar për të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë gjetur 36-vjeçarin e plagosur brenda makinës së tij. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë gjetur edhe dy gëzhoja.

Ndërkohë, deri më tani, policia greke (ELAS) ka shoqëruar dy persona në lidhje me ngjarjen.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit apo autorëve të plagosjes.

 

The post Atentat ndaj një shqiptari në Greqi/ 36-vjeçari plagoset me armë brenda mjetit të tij, shoqërohen dy persona appeared first on GIJOTINA.