Autoritetet spanjolle kanë kryer një operacion të madh antidrogë, ku kanë sekuestruar mbi 10 tonë kokainë në dy kapanone industriale në zonën e Águilas. Dyshimet e hetuesve janë përqendruar te një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e cila dyshohet se përdorte këto ambiente për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës në Spanjë dhe vende të tjera të Europës.
Një detaj i veçantë i zbuluar gjatë hetimeve është se paketimet e kokainës kishin të shënuara adresat ku duhej të dërgohej droga. Sipas burimeve pranë çështjes, ky informacion mund t’i ndihmojë autoritetet të zbardhin destinacionet e ngarkesës dhe të identifikojnë personat e përfshirë në rrjetin e shpërndarjes.
Kokaina u zbulua në dy kapanone industriale në zonën El Labradorcico. Në ambientin e parë u numëruan më shumë se 5 mijë kilogramë, ndërsa zbulimi i një kapanoni të dytë e çoi sasinë përfundimtare në mbi 10 tonë. Vlera e drogës në tregun e zi vlerësohet të kalojë 100 milionë euro. Ky operacion konsiderohet sekuestrimi më i madh i kokainës i realizuar ndonjëherë në territorin tokësor të Spanjës.
Zbulimi u bë rastësisht, pasi gjatë shkarkimit një paletë e mbushur me kokainë ra nga një pirun ngritës, duke dëmtuar disa paketime. Punëtorët u larguan menjëherë nga ambientet, duke braktisur edhe mjetin e punës. Kur mbërriti policia, kapanoni ishte bosh. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e anëtarëve të dyshuar të organizatës shqiptare.
Artikulli i plotë:
Sasia përfundimtare e drogës së sekuestruar e çon mbi 10 tonë kokainën e kapur në Spanjë. Hetimet drejtohen drejt një organizate shqiptare që përdorte dy kapanone industriale si depo për shpërndarjen e drogës në Spanjë dhe Europë.
Paketimet e kokainës të sekuestruara në dy kapanonet industriale në Águilas mbanin të shënuara adresat ku duhej të dërgohej droga, bëjnë të ditur burime pranë çështjes. Ky detaj, i zbuluar gjatë hetimeve, përbën një pistë të re për zbardhjen e strukturës logjistike që fshihej pas kësaj sasie të madhe droge, e cila, sipas përllogaritjes përfundimtare, pritet të kalojë 10 tonët.
Garda Civile tërhoqi lëndën narkotike nga ambientet e zonës industriale El Labradorcico, pas përfundimit të numërimit të martën e kaluar. Sasia e sekuestruar e kthen këtë operacion në kapjen më të madhe të kokainës të realizuar në territorin tokësor të Spanjës, shumë më e lartë se 5.000 kilogramët e sekuestruar në muajin prill në bregdetin e Huelvës.
Adresat e shënuara në pakot e drogës janë një nga elementet që specialistët e EDOA-s (Njësia për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Trafikut të Drogës) dhe Policia Gjyqësore duhet të analizojnë për të rindërtuar itinerarin që duhej të ndiqte kokaina.
Dy kapanonet përdoreshin si depo të posaçme për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës, përpara shpërndarjes së saj në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Dyshimet e para të hetuesve drejtohen te një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e cila dyshohet se i përdorte këto ambiente si pika magazinimi. Çështja mbetet nën sekretin hetimor, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë personat që qëndrojnë pas ngarkesës së sekuestruar dhe mënyrën se si ajo mbërriti në Águilas.
Sekuestrimi më i madh në territorin spanjoll
Sasia e drogës e tejkalon ndjeshëm atë prej 5.000 kilogramësh kokainë të sekuestruar nga Policia Kombëtare në muajin prill në bregdetin e Huelvës. Në atë kohë, Ministria e Brendshme e cilësoi operacionin si “sasinë më të madhe të kokainës të sekuestruar deri më tani” në territorin spanjoll.
Sekuestrimi i vetëm më i madh në Spanjë është realizuar në det të hapur. Më 1 maj të këtij viti, Garda Civile ndaloi anijen tregtare “Arconian” në ujërat e Atlantikut, përballë brigjeve të Saharasë Perëndimore. Në bord u gjetën 30.215 kilogramë kokainë, të ndara në 1.279 pako.
Në Águilas, ngarkesa ishte shpërndarë në dy kapanone industriale. Në të parin ishin numëruar tashmë më shumë se 5.000 kilogramë, ndërsa zbulimi i një ambienti të dytë e rriti vlerësimin në mbi 10 tonë. Vlera e drogës në tregun e zi llogaritet të tejkalojë ndjeshëm 100 milionë euro.
Zbulimi u bë krejt rastësisht. Gjatë procesit të shkarkimit, një paletë e ngarkuar me drogë ra nga një pirun ngritës. Goditja shkaktoi dëmtimin e një pjese të ngarkesës dhe shpërndarjen e disa pakove me kokainë në dyshemenë e kapanonit.
Punëtorët që ndodheshin brenda u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke braktisur edhe mjetin ngritës. Kur mbërriti një patrullë e Policisë Bashkiake, e njoftuar për një aksident të mundshëm në punë, në ambientet e kapanonit nuk ndodhej më askush.
Deri më tani, nuk rezulton të jetë kryer asnjë arrestim.
Denoncohet mungesa e burimeve dhe e mjeteve
Pas zbulimit të ngarkesës së drogës, shoqata “Nuestro Corazón por Bandera”, e cila bashkon familjarë dhe mbështetës të pjesëtarëve të Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare, paralajmëroi përmes një deklarate se ky sekuestrim dëshmon për konsolidimin e rrjeteve kriminale në zonën bregdetare të rajonit.
Shoqata denoncon mungesën e burimeve njerëzore dhe materiale për luftën kundër trafikut të drogës dhe kërkon hartimin e një plani gjithëpërfshirës sigurie për zonën bregdetare.
Sipas saj, prej më shumë se dy vitesh ka paralajmëruar për zhvendosjen e këtyre organizatave kriminale nga zona e Ngushticës së Gjibraltarit drejt pikave të tjera të vijës bregdetare. Për këtë arsye, shoqata vlerëson se zbulimi në Águilas nuk mund të konsiderohet një rast i izoluar.
“Banorët tanë nuk mund të vazhdojnë të presin”, thekson shoqata, e cila u kërkon institucioneve që të kalojnë nga fjalët në veprime konkrete
The post Sekuestrohen 10 tonë kokainë, banda shqiptare kishte shënuar në pakot e drogës adresat e destinacionit appeared first on GIJOTINA.