Studentët marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, thirrje për dorëheqjen e Ramës: Nuk pranojmë dialog!

Pas protestës në ambientet e Fakultetit Ekonomik, studentët kanë vijuar marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke kundërshtuar propozimin e qeverisë për dialog.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, të rinjtë kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike dhe duke kërkuar ndryshime në drejtimin e vendit.

Gjatë marshimit, studentët kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit Rama, ndërsa kanë artikuluar edhe thirrje për revolucion dhe ndryshim të situatës politike.

Protesta vjen pas disa ditësh përplasjesh në distancë mes studentëve dhe qeverisë lidhur me mundësinë e zhvillimit të një dialogu.

Kryeministri Edi Rama u ka propozuar vazhdimisht studentëve të ulen në tryezën e bisedimeve, por ata e kanë refuzuar ofertën, duke këmbëngulur se dorëheqja e tij mbetet kërkesa kryesore dhe e panegociueshme.

Studentët kanë bërë të qartë se nuk pranojnë dialogun e propozuar nga qeveria dhe vijojnë protestën për realizimin e kërkesës së tyre.

The post Studentët marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, thirrje për dorëheqjen e Ramës: Nuk pranojmë dialog! appeared first on GIJOTINA.