Kos “i vë gishtin plagëve” të Shqipërisë: Drejtësia dhe sundimi i ligjit, sfidat kryesore në rrugën drejt BE-së

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vënë në dukje problematikat që vijojnë ta shoqërojnë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar se drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e mjedisit mbeten fusha ku kërkohet më shumë angazhim dhe rezultate konkrete.

Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, Kos vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke përmendur mbylljen e përkohshme të katër kapitujve të negociatave.

Megjithatë, ajo nënvizoi se ky progres nuk duhet të lërë në hije sfidat e rëndësishme që vendi ka ende përpara.

Sipas komisioneres, Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave dhe të përmbushë kriteret përmbyllëse për kapitujt e tjerë, në mënyrë që të arrijë objektivin për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.

“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe. Këtë vit u arrit një etapë e rëndësishme me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të Themeloreve.

Që prej asaj kohe, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë. Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe.

Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.

Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore.

Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ajo.

The post Kos “i vë gishtin plagëve” të Shqipërisë: Drejtësia dhe sundimi i ligjit, sfidat kryesore në rrugën drejt BE-së appeared first on GIJOTINA.