Studentët nisin ditën e 22-të të protestës: Nuk na solli Rusia apo Veliaj, por na thirri Shqipëria

Protesta e studentëve kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e 22-të, ndërsa të rinjtë vijojnë mobilizimin në ambientet universitare, me thirrje për bojkotimin e procesit mësimor dhe zgjerimin e lëvizjes.

Mëngjesin e sotëm, studentët janë mbledhur pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, ku u kanë bërë apel kolegëve të tyre që të lënë auditorët dhe t’i bashkohen protestës.

“Bojkotoni mësimin!”, “Bashkohuni me ne!”, janë thirrjet që të rinjtë kanë drejtuar për studentët e tjerë.

Studentët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, duke refuzuar deri më tani ftesat e përsëritura për dialog. Ata kanë bërë të qartë se nuk pranojnë negociata pa plotësimin e kërkesave të tyre politike.

Studentët vijojnë protestën e tyre, ndërsa përmes pankartave kanë përcjellë mesazhe të forta kundër akuzave për ndikime të huaja dhe largimit të të rinjve nga vendi.

“Nuk na solli Rusia, nuk na solli Greqia, nuk na solli Veliaj, nuk na solli Partia, na thirri Shqipëria”, shkruhet në një prej pankartave të mbajtura nga protestuesit.

Me këtë mesazh, të rinjtë kundërshtojnë pretendimet se lëvizja e tyre nxitet nga faktorë të jashtëm apo interesa politike, duke theksuar se protesta buron nga shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Një tjetër pankartë përcjell shqetësimin për emigrimin e të rinjve: “Diploma nuk është biletë emigrimi”, ndërsa studentët vijojnë t’u bëjnë thirrje kolegëve të tyre të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës.

Përmes këtyre mesazheve, studentët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që e ardhmja e të rinjve të mos lidhet me largimin nga Shqipëria.

Studentët kanë rinisur protestat në universitetet e Tiranës, duke zhvilluar një marshim në disa fakultete dhe duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre t’i bashkohen lëvizjes dhe të bojkotojnë procesin mësimor.

Aksioni ka nisur në ambientet e Universitetit të Politeknikut dhe Arteve, ku një grup protestuesish kanë hyrë në auditorë dhe u kanë bërë thirrje studentëve të lënë mësimin dhe t’i bashkohen protestës.

Më pas, marshimi është zhvendosur drejt Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Ekonomisë, Gjuhëve të Huaja dhe Shkencave të Natyrës, ku janë përsëritur thirrjet për bojkot dhe mobilizim të studentëve.

Gjatë protestës, të rinjtë kanë artikuluar slogane kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij.

Ndërkohë, bojkoti nuk është përqafuar në të njëjtën mënyrë nga të gjitha fakultetet. Në disa prej tyre procesi mësimor ka vijuar normalisht, ndërsa një pjesë e studentëve i janë bashkuar marshimit.

The post Studentët nisin ditën e 22-të të protestës: Nuk na solli Rusia apo Veliaj, por na thirri Shqipëria appeared first on GIJOTINA.