E kërcënoi në emër të Ramës? Toni Gogu pranon se ka takuar Veliajn në burgun e Fierit

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka konfirmuar në një reagim në Facebook se të premten ka takuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit, por ka mohuar pretendimet e publikuara lidhur me përmbajtjen e bisedës mes tyre.

Gogu thotë se vizita është zhvilluar në kuadër të detyrës së tij si ministër, për t’u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar shqetësimet e ngritura publikisht nga avokati i tij, por shprehet i habitur nga ato që i janë atribuar pas takimit.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se Gogu i ka përcjellë porositë dhe kërcënimet e kryeministrit Edi Rama.

“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur. Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem vetëm si kryeministër. Dorëzo mandatin urgjentisht. Delego pushtetin te emrat që do të them unë. Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca. Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nisë hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg”,- këto janë porositë që i janë dhënë Veliajt, sipas Ndrecës.

“Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.

Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.

Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.

Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.

Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.

Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.

Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.”– shkruan Toni Gogu në reagimin e tij.

The post E kërcënoi në emër të Ramës? Toni Gogu pranon se ka takuar Veliajn në burgun e Fierit appeared first on GIJOTINA.