Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Mësohet se SPAK i ka komunikuar Ballukut, përfundimin e hetimeve, ndërsa është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme herët në mëngjes, e shoqëruar nga avokati i saj, Ardian alia.
Balluku është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të kryer në nëntë raste;
“Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”; “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe interesave privatë”, të kryer dy herë; si dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Ish-zëvendëskryeministrja akuzohet për shkelje të barazisë në tendera lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në aksin rrugor Orikum-Himarë, si dhe për shtatë procedura prokurimi për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës.
Këto të fundit përfshijnë tenderat për plotësimin dhe vazhdimin e punimeve në segmentin Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT; ndërtimin e segmentit Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2; ndërtimin e urave mbi lumin Tirana në segmentin Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë; si dhe ndërtimin e loteve 4, 5, 6 dhe 7 të Unazës së Jashtme.
Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me dyshimet se Balluku ka përfituar një vilë me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga shoqëria “Eurocol”, në këmbim të favorizimit të saj në një tender publik. Sipas prokurorisë, prona është fshehur përmes një skeme të dyshuar pastrimi parash, në të cilën rezulton i përfshirë edhe emri i ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Igli Tare.
Hetimet e SPAK zbuluan mbi një muaj më parë edhe një vilë të dytë, të dyshuar si pasuri të fshehur të Ballukut, e cila rezultonte në emër të Tares, ish-drejtor sportiv i Lazios dhe Milanit në Itali.
Sipas prokurorisë, një pjesë e punimeve në këtë pronë janë kryer nga një ndërtues që dyshohet se është favorizuar në një procedurë prokurimi dhe është shpallur fitues i një tenderi për ndërtimin e një prej loteve të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Ndërkohë, Balluku nuk ka pranuar të jap shpjegime.
The post Belinda Balluku paraqitet në SPAK, i komunikohet përfundimi i hetimeve appeared first on GIJOTINA.