Në Komisionin e Ligjeve ka miratuar në parim propozimin e PS për hartën e re territoriale, e cila nëse do të marrë ‘vulën’ e Komisionit, do të kalojë të enjten e 8 tetorit në seancë plenare në Kuvend, për të marrë 84 votat e deputetëve (3/5 e deputetëve).
Projektligji u miratua në parim me 8 vota pro dhe 5 kundër. Anëtarët e Komisionit morën 30 minuta pushim dhe më pas do të nisë votimi nen për nen dhe në tërësi i projektligjit.
Seanca në Komision u shoqërua me debate të forta mes përfaqësuesve më mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e PD dhe PL e kanë cilësuar projektligjin për hartën e re territoriale si një ‘qëllim kriminal’ që nuk i shërben interesit qytetar, por vetëm interesave elektorale të PS-së.
“Çfarë po votoni sot? Përse nuk keni kurajon të dilni nga një urdhër kriminal që do t’u marrë në qafë të gjithëve? Dhe çdo vendimmarrje ka për t’ju përndjekur gjithë jetën. Ndërpriteni këtë mbledhje. Nëqoftëse jeni pengje të Edi Ramës, më mirë deklarojeni këtu, sepse do shpëtoni”, tha mes të tjerash Blushi.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, deputeti socialist Ulsi Manja, por edhe përfaqësues të tjerë të PS-së, kanë theksuar se projektligji është në përputhje me frymën kushtetuese.
“Ne mendojmë se ky projektligj që ka ardhur sot respekton në frymë dhe në gërmë nenin 13 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe rregulloren e Kuvendit”, tha mes të tjerash Manja.
Ndërkohë jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, protestues të shumtë nga bashkitë që pritet të shkrihen me njësitë më të mëdha administrative, me pankarta në duar kanë kundërshtuar projektin e PS për hartën e re territoriale.
Lajm në përditësim…