Përplasje në Gjoricë për parkun fotovoltaik, banorët bllokojnë nisjen e punimeve

Banorët e Gjoricës së Poshtme janë përplasur sot me përfaqësues të një subjekti nënkontraktor, i cili kishte mbërritur në terren për nisjen e punimeve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Banorë të fshatit janë mbledhur këtë të shtunë për të kundërshtuar ndërhyrjen në sipërfaqen që ata e konsiderojnë “tokë të përbashkët” dhe kullotë tradicionale të komunitetit. Ata kanë penguar vijimin e punimeve, ndërsa në zonë kanë mbërritur edhe forcat e Policisë së Komisariatit të Bulqizës.

Pas përplasjes në terren, disa banorë dhe përfaqësuesi i një subjekti nënkontraktor janë shoqëruar në komisariat për të dhënë sqarime.

Përfaqësuesi i kompanisë nënkontraktore ka deklaruar se subjekti që ai përfaqëson ka kontratë me investitorin dhe se dokumentacioni i projektit është në përputhje me procedurat e ndjekura nga institucionet. Sipas tij, kompania ka ardhur në terren për të nisur punën e parcelimit dhe rrethimit, ndërsa punimet pritet të vijojnë në ditët e ardhshme.

“Jemi përfaqësues të firmës, kemi një kontratë me investitorin… bashkëngjitur me kontratën është vendimi i KKT-së për lejen e ndërtimit”, ka deklaruar përfaqësuesi i kompanisë.

Ai ka sqaruar se subjekti që ndodhej në terren nuk është investitori, por një kompani e kontraktuar për të kryer punimet.

The post Përplasje në Gjoricë për parkun fotovoltaik, banorët bllokojnë nisjen e punimeve appeared first on GIJOTINA.