Me një mbrëmje Gala kushtuar teatrit, artistëve dhe dialogut kulturor, u mbyll në Durrës edicioni i parë i Dyrrachium International Theater Festival, një festival ndërkombëtar që për dhjetë ditë solli në qytet trupa, regjisorë dhe aktorë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të rajonit.
Nga 15 deri më 25 shtator, Durrësi u kthye në një skenë të hapur teatri, ku shfaqjet u ndërthurën me historinë dhe trashëgiminë e qytetit. Festivali nisi në një prej monumenteve më përfaqësuese të Durrësit, Amfiteatrin Romak, duke i dhënë kuptim edhe motos së tij: “Ku historia bëhet skenë dhe teatri bëhet dialog.”
Mbrëmja Gala e 25 shtatorit shënoi përmbylljen e edicionit të parë dhe kulmoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Çmimi kryesor Best Performance iu dha shfaqjes “Körler – The Blind”, produksion i National Institution Turkish Theatre – Skopje. E njëjta trupë u vlerësua edhe me Best Ensemble Performance Award, ndërsa regjisori Qëndrim Rijani mori çmimin Best Director.
Juria e festivalit shpalli këta fitues:
Best Performance – “Körler – The Blind”, National Institution Turkish Theatre – Skopje
Best Director – Qëndrim Rijani, “Körler”
Best Actor – Alfred Trebicka, “Si ne të dy”
Best Actress – Luiza Xhuvani, “Si ne të dy”
Best Ensemble Performance Award – National Institution Turkish Theatre – Skopje, “Körler”
Best Scenography – Bekim Korça, “Pylli”
Best Supporting Actor – Alban Krasniqi, “Pylli”
Best Supporting Actress – Hajat Toçilla, “Pylli”
Best Young Actor – Sevar Ivanov, “The Little Dog Laughed”
Special Award – Suzan Akbelge, National Institution Turkish Theatre – Skopje
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte Çmimi i Karrierës, i cili iu akordua Gjergj Vlashit, për kontributin e çmuar dhe të jashtëzakonshëm në artin skenik shqiptar dhe për një jetë kushtuar teatrit dhe kulturës.
Mbrëmja Gala solli gjithashtu në skenë artistë dhe muzikë, duke e kthyer ceremoninë përmbyllëse jo vetëm në një moment vlerësimi për fituesit, por në një festë të teatrit dhe të njerëzve që e krijojnë atë.
Dyrrachium International Theater Festival, me drejtuese dhe themeluese Alketa Tragaj Myshketa, lindi me synimin për të krijuar në Durrës një takim të përvitshëm ndërkombëtar të teatrit, ku artistët, gjuhët dhe kulturat e ndryshme të mund të komunikojnë përmes skenës.
Edicioni i parë mbylli siparin pas dhjetë ditësh teatri, takimesh dhe emocionesh, duke hedhur themelet për vazhdimësinë e një festivali që synon ta vendosë Durrësin gjithnjë e më fort në hartën e aktiviteteve teatrore ndërkombëtare.
Dyrrachium International Theater Festival
Ku historia bëhet skenë dhe teatri bëhet dialog.