Operacion kundër kultivimit të kanabisit në Qafështamë, dëgjohen të shtëna me armë

Një operacion i gjerë policor është duke u zhvilluar në zonat malore të Krujës, në Qafshtamë dhe në territoret përreth, në kuadër të kontrolleve për kultivimin e kanabisit. Në aksion janë angazhuar forca të Policisë së Tiranës, ndërsa operacioni po zhvillohet në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Gjatë kontrolleve në terren janë dëgjuar disa të shtëna armësh. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se mund të jenë të shtëna me armë gjahu, por rrethanat dhe burimi i tyre po verifikohen nga autoritetet. Deri në këto momente nuk raportohet për persona të dëmtuar, qoftë nga radhët e policisë apo të personave të tjerë të përfshirë në operacion.

Aksioni vijon në zonat e thella malore, ndërsa kontrollet janë përqendruar në identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të kultivuara me kanabis sativa. Burime bëjnë me dije se gjatë kontrolleve janë gjetur rrënjë kanabisi, të cilat po asgjësohen nga forcat e angazhuara në operacion.

Operacioni vijon, ndërsa pritet që në përfundim të tij Policia e Tiranës të dalë me një informacion më të plotë mbi rezultatet dhe çdo person të identifikuar apo proceduar në kuadër të aksionit.

The post Operacion kundër kultivimit të kanabisit në Qafështamë, dëgjohen të shtëna me armë appeared first on GIJOTINA.