Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që Bashkimi Europian të marrë në kohë vendimet politike për zgjerimin, ndërsa vlerësimi i secilit vend kandidat të vijojë më pas mbi bazën e meritës.
Gjatë fjalës së tij, Rama argumentoi se vendet kandidate duhet të mbahen pranë Europës dhe “rreth tavolinës”, duke e lidhur këtë edhe me rrezikun e ndikimit nga Rusia dhe Kina.
Duke përdorur një krahasim me familjen e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se vendet kandidate nuk duhet të lihen jashtë procesit për t’u afruar me aktorë të tjerë.
“Çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë mund t’i lehtësojë ata persona që ngurrojnë, është që vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, por të merren tani dhe pastaj, në fund, të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka.”
Rama vijoi me analogjinë duke përmendur shtatë fëmijët e Ursula von der Leyen dhe shtatë vendet kandidate të BE-së.
“Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës: ‘Shko dhe kalo ca kohë me gangsterin rus te cepi, se mami është pak e zënë’. Nuk i tha djalit: ‘Shko e luaj me ca lodra kineze, sepse tavolinën tani e përdorin të rriturit’.”
Në vijim, kryeministri kritikoi qasjen që, sipas tij, i afron vendet kandidate me BE-në vetëm në momente krizash.
“Nuk duhet të kujtojmë se jemi në Europë sa herë ka një sulm apo kur ka ndonjë pandemi dhe gjendemi rreth kësaj tavoline. Apo kur vjen ndonjë valë emigracioni të paligjshëm në Europë; në ato momente nevojitemi edhe ne, sepse rruga e emigracionit kalon nga këtu.”