Shorti për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë Gjyqësor, shpallet fitues gjyqtari Sandër Simoni

Është përcaktuar me short anëtari i ri i Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të përfaqësojë Gjykatën e Lartë.

Pas përfundimit të numërimit të votave, dy kandidatët, gjyqtari Sandër Simoni dhe gjyqtarja Arbena Ahmeti, morën të njëjtin numër votash, nga 179 secili.

Në kushtet e barazimit, rregullorja parashikon që fituesi të përcaktohet përmes shortit.

Pas hedhjes së goglave, shorti nxori fitues gjyqtarin Sandër Simoni.

Kështu, Simoni do të jetë anëtari i ri i KLGJ-së nga radhët e Gjykatës së Lartë.

Pas përfundimit të kësaj gare, ka nisur numërimi i votave për kandidatët e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit.

Për Gjykatën e Shkallës së Parë, në garën për një vend në KLGJ janë tre kandidate, Manjola Xhaxho, Brunilda Kadi dhe Matilda Llangozi.

Zgjedhja e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor po zhvillohet gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të gjyqtarëve.

 

The post Shorti për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë Gjyqësor, shpallet fitues gjyqtari Sandër Simoni appeared first on GIJOTINA.