Këshilli Bashkiak kërkon pjesëmarrjen e Veliajt në mbledhje, kërkesë SPAK-ut dhe Burgjeve

Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të mundësojnë pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e 29 shtatorit. Mbledhja është parashikuar të zhvillohet në orën 15:00, ndërsa në shkresën drejtuar institucioneve kërkohet që Veliaj të pajiset me leje të përkohshme për të marrë pjesë fizikisht.

Në rast se prania e tij në sallë nuk mund të mundësohet, Këshilli Bashkiak kërkon që kryebashkiaku të marrë pjesë përmes videokonferencës. Kërkesa lidhet me çështjet që pritet të shqyrtohen në mbledhje, mes tyre administrimi i Tiranës dhe projektligji për ndarjen administrativo-territoriale.

Këshilli Bashkiak u ka kërkuar SPAK-ut dhe Burgjeve që të japin një përgjigje me shkrim për vendimmarrjen lidhur me kërkesën.

Kërkesa e plotë:

Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Nisur nga sa është thënë më sipër dhe referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

• lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,
Ose, nëse kjo nuk është e mundur,

• mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

The post Këshilli Bashkiak kërkon pjesëmarrjen e Veliajt në mbledhje, kërkesë SPAK-ut dhe Burgjeve appeared first on GIJOTINA.