Pse Vlora Hyseni nuk është SHISH?!

Prej ditësh çështja e ish drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni ka prodhuar shumë zhurmë për komunikimet e saj private.

Sipas SPAK (Strukturës së Posaçme Anti – Korrupsion) Vlora Hyseni është nën hetim për dy vepra penale që, kur bëhet fjalë për drejtuesen e shërbimit sekret të një vendi, kanë një peshë të jashtëzakonshme: “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. GJKKO, me vendimin e 21 shtatorit 2026, caktoi ndaj saj masat “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga ushtrimi i detyrës. Hetimi vazhdon dhe, juridikisht, Hyseni prezumohet e pafajshme deri në një vendim përfundimtar.

Por pikërisht këtu duhet bërë një ndarje që sot është jetike. Kjo për vetë rëndësinë por edhe mënyrën sesi funksionin institucioni i SHISH. Te kjo e fundit, pra mënyra sesi funksionon SHISH qëndorn edhe thelbi. Një zyrë shteti nuk është pronë personale. Një post nuk është pronë personale. Dhe mbi të gjitha, informacioni që shteti të beson nuk është pronë personale.

Vlora Hyseni nuk është SHISH-i.

Dhe SHISH-i nuk mund të futet në bankën e të akuzuarve bashkë me ish-drejtoreshën e tij, ashtu sikurse rëndom po trajtohet nëpër studiot televizive dhe perceptimin e opinionit publik.

Në atë institucion punojnë qindra njerëz që nuk dalin në studio televizive, nuk bëjnë konferenca shtypi dhe, për vetë natyrën e profesionit të tyre, shpesh nuk mund të tregojnë as atë që kanë bërë mirë. Oficerë, analistë dhe specialistë që kanë zgjedhur një profesion ku suksesi shpesh mbetet anonim, ndërsa gabimi bëhet publik.

Ata nuk duhet të mbajnë mbi shpinë përgjegjësinë e një drejtuesi.

Prandaj, sot duhet thënë pa ekuivok: nëse drejtësia provon shkelje individuale të Vlora Hysenit, ato janë të Vlora Hysenit. Jo të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Karrigia nuk vjen me tapi, do duhej të thuhej në këtë rast.

Problemi fillon pikërisht atëherë kur drejtuesi harron se çfarë përfaqëson karrigia ku është ulur.

Në një institucion inteligjence, kjo është edhe më serioze. Drejtori administron përkohësisht një autoritet që i përket Republikës. Informacioni që kalon në tavolinën e tij është prodhuar nga një mekanizëm shtetëror, nga njerëz që kanë punuar, verifikuar, analizuar dhe shpesh kanë rrezikuar për ta siguruar.

Ai informacion nuk është monedhë personale.

Nuk është kapital marrëdhëniesh.

Nuk është favor.

Nuk është mjet për të ndërtuar miqësi, borxhe apo interesa private.

Pikërisht për këtë arsye dyshimet e ngritura nga SPAK janë kaq serioze. Sipas raportimeve mbi dosjen, hetimi lidhet edhe me materiale të klasifikuara të gjetura gjatë hetimeve ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Vetë Hyseni ka pretenduar se kontaktet lidheshin me statusin e tij si bashkëpunëtor i Shërbimit; sipas raportimeve që citojnë SPAK-un, ky pretendim është vënë në diskutim nga hetuesit. Këto rrethana mbeten objekt i procesit penal dhe duhet të provohen në gjykatë.

Nëse provohet se mekanizmat, informacionet apo autoriteti i SHISH-it janë përdorur jashtë qëllimit ligjor të institucionit, atëherë problemi nuk është vetëm penal.

Nisur nga përmasat që ka marrë në opinionin publik dhe mënyra sesi e kanë trajtuar mediat të cilat deri tani, me aq informacion sa ka rrjedhur nga dosja, mund të themi shkurt se: B*tha është e jotja. Karrigia është e shtetit.

Kur largohesh, merr me vete të parën. Të dytën e lë aty.
SHISH-i duhet mbrojtur pikërisht sot.

Ka një tundim të rrezikshëm në raste të tilla: të identifikohet institucioni me drejtuesin.

Është gabim.

Një shërbim inteligjence ndërtohet për dekada. Përbëhet nga memoria institucionale, procedurat, burimet njerëzore, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe profesionalizmi i njerëzve që vazhdojnë punën pavarësisht se kush qëndron përkohësisht në zyrën e drejtorit.
Dinjiteti i tyre nuk duhet konfiskuar nga dosja penale e askujt.

Në fakt, mënyra më e mirë për ta mbrojtur SHISH-in sot nuk është heshtja. Është pikërisht e kundërta: hetimi deri në fund i çdo dyshimi individual dhe ndarja kirurgjikale mes institucionit dhe kujtdo që mund ta ketë përdorur atë në kundërshtim me ligjin.

Shërbimi duhet të dalë nga kjo histori më i fortë institucionalisht, jo më i dobët.

Gjynahu i njërit nuk është turpi i të gjithëve. Prandaj historia e Vlora Hysenit nuk duhet të shndërrohet në historinë e SHISH-it.

Nëse akuzat provohen, përgjegjësia duhet të ketë emër dhe mbiemër.

Nuk mund t’u thuhet qindra punonjësve të ndershëm: mbajeni ju mbi shpinë këtë barrë.
Ata nuk e kanë marrë karrigen e drejtorit. Ata nuk kanë marrë vendimet e drejtorit. Ata nuk mund të përgjigjen për marrëdhëniet personale të drejtorit. Dhe mbi të gjitha, ata nuk duhet të turpërohen për veprime individuale që drejtësia po heton.

Në një shtet serioz, individi përgjigjet për veprimet e veta, ndërsa institucioni pastrohet, korrigjohet dhe vazhdon misionin.

Kjo është arsyeja pse sot mbrojtja e SHISH-it nuk do të thotë mbrojtja e Vlora Hysenit.
Përkundrazi. Do të thotë mbrojtja e institucionit nga identifikimi me cilindo drejtues të përkohshëm.

Drejtorët vijnë dhe ikin. Oficerët ndërrohen. Qeveritë ndryshojnë. Shërbimi Informativ i Shtetit duhet të mbetet.

Dhe çdo njeri që ulet në krye të tij duhet ta dijë që ditën e parë një rregull që nuk ka nevojë për manual inteligjence: B*tha është e jotja. Karrigia është e shtetit. Dhe gjynahet e tua, nëse provohen, mos ia lër mbi kurriz SHISH-it.