Mbulon tre role dhe mban Milanin në ekuilibër, Cardinale “urdhëron” rinovimin me Rabiot

Pronari i klubit kuqezi dëshiron zgjatjen e marrëveshjes me francezin. Detajet mbi të ardhmen e mesfushorit dhe planet e tjera.

E ardhmja e Adrien Rabiot do të jetë gjithmonë e më shumë kuqezi. Gerry Cardinale, pronari i Milanit, e ka personalisht përparësi në axhendën e tij rinovimin me mesfushorin francez. Ai pritet të kthehet në Milano gjysmën e parë të tetorit dhe do të merret me këtë çështje.

Kontrata aktuale e Rabiot skadon në 2028-ën, me opsionin edhe për 2029-ën, por drejtuesit e klubit kuqezi duan të rinovojnë që tani, të paktën deri në 2030-ën, sipas “La Gazzetta dello Sport”.

Paraqitjet në fushë kanë konfirmuar rëndësinë e Rabiot për Milanin. Ai është i aftë të përshtatet në disa role: mesfushor qendre, në regji, apo edhe si trekuartist. Francezi garanton ekuilibër, muskuj dhe inteligjencë taktike. Jo më kot rinovimi është kërkuar edhe nga trajneri Ruben Amorim.

Përveç impaktit teknik, për të përshpejtuar planet e klubit kanë ndikuar edhe fjalët e vetë futbollistit për lidhjen e fortë që ai ka me Milanin. Rabiot ka theksuar gjithmonë se ndihet i lumtur te ky ekip dhe nuk dëshiron të ndryshojë ambient, duke hedhur poshtë çdo hipotezë largimi.

Javët e ardhshme Cardinale do të nisë bisedimet zyrtare me nënën-agjente Veronique – që deri tani ka pritur në heshtje – për të fiksuar anën ekonomike dhe të kohëzgjatjen e kontratës së re. Rabiot u ble nga Olimpique Marseille në verën e 2025-ës për 7 milionë euro dhe shpejt u bë i palëvizshëm në formacionin kuqezi.