Një Gjykatë Federale në SHBA, ka vendosur të të bllokojë përkohësisht masën e administratës Trump dhe urdhëroi rikthimin e menjëhershëm të gazetarëve të CNN, Politico dhe MS NOW. Vendimi do të mbetet në fuqi ndërsa vijon beteja gjyqësore për ligjshmërinë e përjashtimit.
Përplasja nisi pasi Trump njoftoi më 18 shtator se CNN, MS NOW dhe Politico nuk do të lejoheshin më në Shtëpinë e Bardhë. Gazetarët e tyre u ndaluan të hynin në kompleks një ditë më vonë dhe kredencialet iu çaktivizuan. Tre mediat iu drejtuan më pas gjykatës, duke pretenduar se vendimi përbënte diskriminim për shkak të këndvështrimit editorial dhe shkelje të Amendamentit të Parë dhe të Pestë të Kushtetutës amerikane.
Trump e kishte justifikuar publikisht vendimin duke akuzuar mediat se publikonin raportime të rreme. Shtëpia e Bardhë pretendoi gjithashtu se ato kishin shkelur standardet e profesionalizmit dhe etikës së kërkuar nga gazetarët me akses në kompleks.
Administrata ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë kombëtare, duke pretenduar se mediat kishin publikuar informacione sensitive ose të klasifikuara. Sipas CBS News, në letrat drejtuar tre mediave, Shtëpia e Bardhë i akuzonte ato për publikimin e informacioneve sensitive dhe për shkelje të standardeve të sjelljes që administrata kërkon nga mediat me akses në kompleks.
Avokatët e mediave e kundërshtuan këtë argument, duke thënë se çështja e sigurisë kombëtare ishte ngritur pasi ndalimi ishte vendosur dhe se shkaku real i përjashtimit ishte përmbajtja e raportimeve të tyre.
The post Ndaloi disa media të hynin në Shtëpinë e Bardhë, Gjykata hedh poshtë urdhërin e Trump appeared first on GIJOTINA.