Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka zhvilluara takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me fokus te dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Përmes një postimi në ‘X’, Kallas ka ndarë pamje nga takimi, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve dhe avancimi i Kosovës e Serbisë në rrugën drejt BE-së duhet të ecin paralelisht.
Kallas ka deklaruar se BE-ja do të vijojë të luajë rolin e ndërmjetësit, teksa thekson se zbatimi i marrëveshjeve nuk duhet parë si një favor ndaj Brukselit, por si një detyrim ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë dhe ndaj rajonit.
Postimi i plotë i Kallas:
Sot u takova me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti, ku ngrita nevojën për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin paralelisht.
Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese.
Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale.
BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetëse e paanshme. Por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.
Është koha për të ecur përpara.